Punëtori i ndërtimtarisë bie nga lartësia në Prishtinë – në gjendje të rëndë në QKUK, shoqërohet në polici pronari i kompanisë 

Një aksident i rëndë në vendin e punës është raportuar të hënën në lagjen “Prishtina e Re”, ku një punëtor ka rënë nga lartësia dhe ndodhet në gjendje të rëndë në QKUK.

Rasti është iniciuar nga Policia si “Asgjësim, dëmtim ose heqje e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikim i sigurisë në vendin e punës”.

Burime të Sinjalit bëjnë me dije se më 23 qershor 2025, rreth orës 12:00, është raportuar se një 31-vjeçar, punëtor i një kompanie ndërtimore, është rrëzuar gjatë punës në një objekt në rrugën “Holger Petersen” në Prishtinë. Ai është dërguar me urgjencë në QKUK, ku mjekët kanë konstatuar se ndodhet në gjendje kritike për jetën.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë hetimore dhe forenzika, si dhe inspektorët e punës për të hetuar rrethanat dhe kushtet e sigurisë në kantier. Për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, nuk është marrë ende një deklaratë nga i lënduari.

Pronari i kompanisë, 42-vjeçar është intervistuar nga Policia në cilësinë e dëshmitarit.

Me udhëzim të Prokurorit të Shtetit dhe në konsultim me hetuesin kujdestar, rasti është iniciuar në drejtim të veprës penale “Asgjësim, dëmtim ose heqje e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikim i sigurisë në vendin e punës”.

Hetimet janë në zhvillim, ndërsa pritet të kryhen ekzaminimet teknike dhe verifikimi i kushteve ligjore të punës në kantier.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë