Naim Bazaj ironizon garën për kryetar të Drenasit: “Një shkam me tri këmbë, shumë kandidatë dhe vetëm një vend për t’u ulur!”

Kandidati për kryetar të Komunës së Drenasit nga “Iniciativa për Drenasin”, Naim Bazaj, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në komunë, ku numri i kandidatëve për të parin e Drenasit po rritet nga dita në ditë, kryesisht nga radhët e PDK-së, transmeton portali DrenicaOnline.

Në një reagim të publikuar sonte, Bazaj ka përdorur një metaforë të fuqishme për të përshkruar situatën: “Një shkam me tri këmbë, shumë kandidatë dhe vetëm një vend për t’u ulur… ju kthejmë mbrapshtë e ulëni!”

Ai ka vënë në pikëpyetje motivet e pjesëmarrjes së disa kandidatëve në garë, duke thënë se në Drenas “kemi më shumë kandidatë për kryetar komune sesa zgjidhje për problemet e qytetarëve.”

“Secili shpreh ‘vullnetin’ për të udhëhequr, por në të vërtetë, a është kjo garë për të mirën e qytetarëve apo për interesa personale dhe klanore?” – ka pyetur Bazaj.

Ai ka kujtuar edhe një realitet të hidhur të Drenasit: “Dikur ishim rreth 70 mijë banorë, sot jemi 50 mijë – e s’po largohet askush nga e mira. Po ikin të rinjtë, po zbrazet vendi, po humbet shpresa.”

Bazaj kritikon ashpër sistemin aktual të funksionimit politik, duke thënë se “një shkam është vetëm për një, por të gjithë duan të ulen, edhe pse shumica e tyre kanë kontribuar për ta bërë atë shkam të thyeshëm.”

Ai ironizon edhe pozitat politike të disa individëve që tashmë janë deputetë, por sërish kërkojnë pushtet lokal:

“Dikush ndoshta ka nevojë për ndonjë votë, apo s’kanë nevojë fare – janë bërë deputetë në Parlament. Mendojnë se është koha e para 15 vitesh.”

Në fund, Naim Bazaj ka një thirrje të drejtpërdrejtë për kundërshtarët:
“Boll bre kemi marrë poste, pozita, e kemi shfrytëzu këtë parti – klani i Drenasit. A s’ju vjen turp? Çdo mahallë nga një kryetar – lëshoni renë, o përbinqa!”

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë