Egzona Terdevci e VV-së kritikon ashpër PDK-në: “Kandidatët nuk janë alternativë, por variacione të së njëjtës krizë!”

Kandidatja për kryetare të Komunës së Drenasit, Egzona Terdevci, ka reaguar pas zhvillimeve të ditës së sotme në Drenas, ku disa figura nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) shpallën kandidaturat për të parin e komunës, transmeton portali DrenicaOnline.
Në një deklaratë të ashpër, Terdevci ka thënë se numri i madh i kandidatëve të PDK-së nuk është dëshmi e demokracisë së brendshme, por “pasqyrë e qartë e çarjeve të thella, pazareve të prishura dhe luftës së pamëshirshme për pushtet mes klaneve që kanë kapur këtë parti.”
Ajo shtoi se keqqeverisja, falimentimi i postës, abuzimi me pronën publike, nepotizmi dhe mashtrimet nuk janë gabime të rastësishme, por “pjesë përbërëse e një sistemi të kalbur që sot përfaqësohet nga disa fytyra, por ka një qëllim të vetëm – mbrojtjen e interesave të ngushta dhe vazhdimin e plaçkitjes së qytetarëve.”
Egzona Terdevci i cilësoi kandidatët e PDK-së si jo alternativë, duke theksuar se “janë variacione të së njëjtës krizë”, që sipas saj, nuk ofrojnë zgjidhje por përfaqësojnë metoda të ndryshme të mashtrimit të njëjtë.
“Qytetarët e Drenasit nuk janë më të verbër. Ata e shohin, e dijnë dhe e ndiejnë çdo ditë pasojën e kësaj keqqeverisjeje. Më 12 tetor, ata do t’u japin fund mashtrimeve dhe do të zgjedhin dinjitetin,” përfundoi Terdevci.
Ajo premtoi një qeverisje që e thotë të vërtetën, që nuk i nënshtrohet interesave personale, por që u shërben njerëzve me drejtësi, barazi dhe përkushtim./DrenicaOnline/