Drenasi që disa ditë pa ujë të pijes

Qytetarët e komunës së Drenasit po përballen me mungesë të ujit të pijshëm për disa ditë me radhë, si pasojë e punimeve që po zhvillohen në kanalin e Ibër Lepencit. Siç ka njoftuar Ujësjellësi Rajonal “Prishtina”, aktualisht në Drenas nuk po bëhet trajtimi i ujit për pije.

Ndërkohë, problemet me furnizimin me ujë nuk janë të izoluara vetëm në këtë komunë.

Sipas njoftimit zyrtar, për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike nga KEDS në ITU Badovc dje deri në orën 16:00, pa furnizim me ujë janë lënë edhe zonat Kishnicë, Sushicë, Badovc dhe fshatrat Janjevë e Gushtericë në komunën e Lipjanit, që gjithashtu po përballen me mungesë të energjisë elektrike.

ITU Shkabaj është duke operuar me kapacitet minimal për shkak të turbullirës së ujit në kanalin e Ibrit, si rezultat i punimeve që po zhvillohen aty. Aktualisht, rezervuarët janë të mbushur, por parashikohen çrregullime të mundshme në furnizim me ujë në lagjet Mati 1, Bregu i Diellit, si dhe në zonat Graçanicë dhe Hajvali, për shkak të varësisë nga ITU Badovc, ku trajtimi i ujit po bëhet me ndihmën e gjeneratorëve.

Ujësjellësi “Prishtina” apelon për mirëkuptim nga qytetarët dhe rekomandon që të qëndrojnë të informuar përmes kanaleve zyrtare të komunikimit.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë