Memli Krasniqi: Kriza energjetike është pasojë direkte e dështimit të Qeverisë – kërkojmë veprime urgjente

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar ashpër ndaj paralajmërimit të fundit nga KESCO, se në ditët në vijim i gjithë konsumatorët në Kosovë do të furnizohen vetëm përmes importit të energjisë, për shkak të mungesës së prodhimit vendor.

Në një deklaratë publike, Krasniqi e ka quajtur këtë situatë alarmante dhe ka thënë se tregon më së miri dështimin e Qeverisë Kurti për të garantuar siguri energjetike për qytetarët e vendit.

“Kosova ka rezerva të mëdha të thëngjillit dhe infrastrukturë ekzistuese për prodhim vendor, por qytetarët sot, përveç çmimeve marramendëse, po përballen edhe me pasiguri dhe kërcënime për ndërprerje të furnizimit – pa asnjë transparencë”, ka theksuar ai.

Sipas tij, është hera e parë që nga paslufta që KEK-u nuk po prodhon aspak energji – një fakt i paprecedentë që ngre shumë pikëpyetje dhe shqetësime serioze.

Në emër të interesit publik, ai ka kërkuar sqarime urgjente nga Qeveria në largim, duke ngritur disa pyetje thelbësore:

“Pse KEK-u nuk po arrin të prodhojë energji?
Cilat janë arsyet e degradimit të kësaj ndërmarrjeje strategjike?
A është kjo pasojë e sabotimit të qëllimshëm?
A kanë dorë mafia energjetike dhe sekserët e tregtisë me energji në këtë gjendje?
Kush do të mbajë përgjegjësi për këtë krizë?”, ka pyetur ai.

Kryetari i PDK-së ka theksuar se energjia është çështje e sigurisë kombëtare dhe se kjo situatë kërkon veprime të menjëhershme, jo arsyetime apo fshehje të përgjegjësisë.

“Kriza energjetike në Kosovë është pasojë direkte e dështimit të kësaj qeverie. E ardhmja nuk mund të ndërtohet mbi kolapsin e sektorëve strategjikë”, përfundoi ai.

Link: https://www.facebook.com/share/1VYeKLGdJm/?mibextid=wwXIfr

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë