E rëndë: Djali rrah brutalisht babain – e demolon edhe shtëpinë, përfundon në pranga

Një rast i rëndë i dhunës në familje është regjistruar pasditen e së enjtes në qendër të Prishtinës, ku një djalë ka sulmuar fizikisht babain e tij pas një mosmarrëveshjeje në banesën e tyre.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë me dije se më 19 qershor 2025, rreth orës 18:30, në rrugën “Rrustem Statovci”, F.I. dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj babait të tij, B.I.
Sipas kallëzimit të viktimës, pas një debati verbal, i biri ka humbur kontrollin dhe ka nisur ta godasë me grushta në fytyrë, duar dhe pjesë të tjera të trupit. Përveç dhunës fizike, ai ka thyer edhe gjësende brenda shtëpisë, duke shkaktuar panik dhe dëme materiale.
Menjëherë pas raportimit, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka shoqëruar të dyshuarin në stacion. Pas intervistimit, në konsultim me Prokurorin kujdestar, është inicuar rasti për veprën penale “Dhunë në familje”.
Me vendim të Prokurorisë, F.I. është ndaluar për 48 orë dhe është dërguar në Qendrën e Mbajtjes. Për rastin janë njoftuar edhe Qendra për Punë Sociale dhe Njësia për Mbrojtjen e Viktimave.
Hetimet rreth rrethanave të këtij rasti të rëndë familjar po vazhdojnë.