E goditi 12 vjeçarin me shkop druri në kokë – 31-vjeçari nga Drenasi përfundon në ndalim prej 48 orësh

Një rast i rëndë i dhunës ndaj të miturit është raportuar pasditen e së enjtes në komunën e Drenasit. Një person ka sulmuar fizikisht një 12-vjeçar, duke e goditur me shkop druri në kokë, pas një mosmarrëveshjeje.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se rreth orës 18:00 të datës 19 qershor 2025. Si pasojë e goditjes, i mituri ka marrë lëndime trupore në kokë.
Fillimisht, viktima është trajtuar në QMF – Komoran, e më pas është transferuar për trajtim të mëtejshëm në QKUK – Prishtinë. Pas përfundimit të trajtimit mjekësor, ai është paraqitur në Stacionin Policor në Drenas së bashku me nënën, ku është intervistuar në prani të zyrtarit të Qendrës për Punë Sociale.
Ndërkohë, i dyshuari është ndaluar nga Policia dhe është intervistuar në prezencën e avokatit.
Me urdhër të Prokurorit kujdestar nga Departamenti i Përgjithshëm, është iniciuar rasti penal “Lëndim i lehtë trupor”, ndërsa ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh në Qendrën e Mbajtjes.
Hetimet për këtë rast po vazhdojnë.