Lladrovci pret në takim Bajram Berishën, simbol të qëndresës nga Shtutica

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka pritur sot në një takim miqësor Bajram Berishën nga fshati Shtuticë, babain e dy djemve të vrarë në luftë, vëllain dhe dy djemtë e vëllait, të cilët u vranë nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë, transmeton portali DrenicaOnline.
Gjatë këtij takimi emocional, kryetari Lladrovci u shpreh se baca Bajram është një simbol i vuajtjeve dhe qëndresës së popullit tonë, dhe se sakrifica e familjes Berisha mbetet një nga plagët më të thella dhe më të ndritshme të historisë së Drenicës.
Për më shumë se 25 vite, familja Berisha kishte jetuar me dhimbjen dhe pasigurinë për fatin e të dashurve të tyre të zhdukur. Vetëm vitin e kaluar, ata arritën të gjejnë eshtrat e djalit të Bajramit dhe djalit të vëllait të tij, duke ua kthyer qetësinë shpirtërore që aq shumë e kishin pritur. Tani, bijtë e tyre **prehen me nder** në varrezat e dëshmorëve dhe martirëve në fshatin Shtuticë.
Kryetari Lladrovci theksoi se institucionet e Drenasit do të vazhdojnë të nderojnë e përkujtojnë çdo familje që ka dhënë gjithçka për lirinë e Kosovës, duke mbajtur të gjallë kujtimin për ata që nuk janë më.