Kryqi i Kuq dhe Carabinierët italianë dhurojnë defibrilator për Gjimnazin “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” në Drenas

Kryqi i Kuq – dega në Drenas, në bashkëpunim me Carabinierët Italianë të KFOR-it, realizuan një vizitë të veçantë në Gjimnazin “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” në Drenas, transmeton portali DrenicaOnline.

Vizita u prit me respekt dhe mirënjohje nga drejtori i shkollës,  Naim Doberdolani, dhe stafi arsimor. Qëllimi i takimit ishte thellimi i bashkëpunimit dhe ofrimi i përkrahjes konkrete për përmirësimin e kushteve të sigurisë shëndetësore në ambientet shkollore.

Në kuadër të kësaj vizite, shkollës iu dhurua një pajisje AED (Defibrilator Automatik i Jashtëm) – pajisje mjekësore me rëndësi jetike që përdoret për të shpëtuar jetë në raste të ndaljes së papritur të zemrës. Pajisja do të vendoset në ambientet e shkollës dhe do të shërbejë si mjet ndërhyrës i menjëhershëm në situata emergjente.

Drejtoria e shkollës dhe komuniteti arsimor shprehën falënderim të sinqertë për këtë gjest solidariteti dhe përkushtimi ndaj mirëqenies së nxënësve dhe stafit. Ky donacion konsiderohet si hap konkret drejt rritjes së sigurisë shëndetësore në institucionin shkollor.

Gjimnazi “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” në Drenas tashmë është i pajisur me një mjet të rëndësishëm shpëtimi, falë bashkëpunimit të frytshëm ndërkombëtar./DrenicaOnline/

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë