Dorëhiqet nënkryetari i VV-së në Skenderaj, Xhevat Nebihi: Nuk i përkas më asnjë partie politike

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj, Xhevat Nebihi, ka dhënë dorëheqje nga pozita dhe njëkohësisht ka njoftuar largimin e tij nga çdo subjekt politik, transmeton portali DrenicaOnline.
Përmes një postimi publik, Nebihi ka sqaruar arsyet e këtij vendimi, duke theksuar se tash e një kohë kishte menduar për largimin, por tani e ka marrë vendimin përfundimtar.
“Ka kohë që kam dashur, por tani i erdhi momenti që unë nuk jam më anëtar i asnjë partie. As që kam dashur të jem, bile për hirë të vërtetës më është bërë lutje e madhe që të anëtarësohem në VV”, ka shkruar ai.
Nebihi theksoi se ishte bindur të hynte në Vetëvendosje nga disa kolegë të respektuar, me qëllimin për të kontribuar për të mirën e shoqërisë dhe vendit. Ai gjithashtu kujtoi kandidimin e tij të vetëm në asamblenë komunale, ku kishte dalë më i votuari i listës.
“Nuk kam ndërruar mendje, e as që ka gjasa të ndërroj për ndonjë subjekt tjetër, përkundër joshjeve që vazhdimisht më janë bërë. Nuk ka joshje as forcë që më bind aty ku nuk është pastër,” ka shtuar Nebihi.
Ai tha se familjarisht kanë qëndruar gjithmonë në krah të drejtësisë, që nga lufta e deri më sot, dhe se nuk janë për politikë kur cënohen parimet.
“Do të vazhdoj të kontribuoj në profesionin tim me nder e përkushtim, ashtu siç njihem nga të tjerët. Asnjëherë nuk pranoj librezë partije me asnjë shpërblim,” përfundoi ai, duke falënderuar të gjithë ata që e kanë mbështetur në rrugëtimin e tij politik.
Nebihi apeloi për mirëkuptim dhe për të shmangur provokimet, duke theksuar se çdo fjalë e shkruar prej tij është e sinqertë dhe e vërtetë.