Vdes rreshteri i Klasit të Parë, Sabit Mazreku – FSK i jep lamtumirën me nderime ushtarake

Forca e Sigurisë së Kosovës ka humbur një nga pjesëtarët e saj të përkushtuar. Pas një sëmundje të rëndë, ka ndërruar jetë Rreshteri i Klasit të Parë, Sabit Rexhep Mazreku (12.02.1977 – 16.06.2025).

Në njoftimin zyrtar, FSK njofton se Mazreku ka ndërruar jetë sot dhe se homazhet nga njësitë e Forcës do të mbahen në Kazermën “Evropianët e rinj” në Pomozotin, nga ora 13:00 deri në 14:00. Ndërsa ceremonia e varrimit do të bëhet në orën 18:00 në varrezat e fshatit Goriq, Komuna e Malishevës.

Në emër të Komandantit të FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, janë shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen, shokët, bashkëluftëtarët dhe të gjithë pjesëtarët e FSK-së.

Sabit Mazreku ishte një ushtarak me kontribut të gjatë dhe të çmuar për vendin. Ai ishte pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në brigadën 122 “Imer Krasniqi” të Zonës Operative të Pashtrikut. Pas përfundimit të luftës, ai shërbeu në Batalionin Gardist të Zonës së Dytë të Trupave Mbrojtëse të Kosovës. Me transformimin e TMK-së në Forcën e Sigurisë së Kosovës, ai vazhdoi të shërbente me nder në Brigadën e Mbështetjes Operacionale, e më pas në Gardën Kombëtare të FSK-së, ku dha kontributin e tij deri në ditët e fundit të jetës.

I ndjeri la pas vetes bashkëshorten, dy djem dhe një vajzë.

FSK dhe Ministria e Mbrojtjes nderojnë me respekt figurën e Rreshterit Mazreku dhe i japin lamtumirën me përulje një ushtaraku të devotshëm që shërbeu vendin me përkushtim në paqe dhe në luftë.

Pusho në paqe, Rreshter Mazreku!

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë