Ramiz Lladrovci nderon familjet e dëshmorëve me mirënjohje për Ditën e Çlirimit

Me rastin e Ditës së Çlirimit të Drenasit, kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci, ka njoftuar se ka përgatitur mirënjohje për secilën familje të dëshmorëve të komunës, në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për sakrificën e tyre, transmeton portali DrenicaOnline.
Përmes një njoftimi publik, Lladrovci ka theksuar se ndarja e këtyre mirënjohjeve është bërë në përputhje me Regjistrin zyrtar për dëshmorët, dhe se ato do të shpërndahen në mënyrë të organizuar, përmes drejtorëve të shkollave në lokalitetet përkatëse.
“Në shenjë nderimi për çdo familje të dëshmorit, me rastin e Ditës së Çlirimit, kam përgatitur mirënjohje për secilën familje, në pajtim me Regjistrin zyrtar për dëshmorët. Për shkak të racionalizimit të kohës dhe rrethanave, mirënjohjet mund t’i merrni te drejtorët e shkollave, sipas lokalitetit ku gjendet shkolla juaj,” thuhet në njoftimin e kryetarit.
Familjarët e dëshmorëve mund të marrin mirënjohjet nga data 18 qershor 2025.
Ky veprim vjen si një gjest simbolik dhe i ndjerë në nderim të atyre që dhanë jetën për lirinë e vendit, si dhe një mesazh i fortë për ruajtjen e kujtesës historike në mesin e brezave të rinj./DrenicaOnline/