Lladrovci synon edhe një mandat në krye të Drenasit: Pritjet janë për fitore bindëse

Kryetari aktual i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka konfirmuar rikandidimin për një mandat tjetër në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
“Jam kandidat i Degës së PDK-së në Drenas edhe për një mandat. Propozimi i shkon Selisë së PDK-së, kryetarit Memli Krasniqi, i cili vendos për zyrtarizimin e këtij propozimi. Mendoj se kemi pasur unitet të lartë, vetëm një votë ishte kundër dhe një abstenim”, tha Lladrovci.
Ai për “Front Online” shprehu bindjen për një fitore të thellë të PDK-së, duke përmendur sukseset e komunës në performancë gjatë viteve të fundit.
“Pritjet e mia janë të lidhura me fitoren bindëse të PDK-së, të vetmes degë në nivel nacional e cila i ka fituar të gjitha zgjedhjet nga çlirimi i vendit deri sot, ashtu do të vazhdojmë, bashkë me qytetarët dhe strukturat e degës më të organizuar, drejt sukseseve të reja si komuna me performancën më të mirë për gjashtë herë, brenda shtatë viteve që ekziston kjo garë”, u shpreh Lladrovci.