Klani ia huqi/ Nuredin Lushtaku sqaron pozicionin e tij politik

Kandidati për kryetar të Skenderajt, Nuredin Lushtaku, ka reaguar ashpër ndaj një lajmi të publikuar sot nga televizioni Klan Kosova, të cilin ai e ka quajtur “tendencioz dhe të porositur”.

Lajmi i publikuar nga Klan Kosova mban titullin: “Kandidati i Nismës, Lushtaku garon për kryetar të Skenderajt”, titull ky që sipas Lushtakut është manipulues dhe nuk përkon me të vërtetën.

“Dua të jem i qartë para qytetarëve të Skenderajt dhe përkrahësve të Listës IDEAL – unë nuk jam dhe asnjëherë nuk kam qenë anëtar i Nismës, dhe as kandidat i ndonjë partie politike,” theksoi Lushtaku.

Ai rikujtoi se në zgjedhjet e fundit nacionale, Lista IDEAL ka garuar në një koalicion të përbashkët me AAK-në dhe Nismën, por kjo, sipas tij, nuk e bën atë pjesë të ndonjë subjekti politik, por mbetet kandidat i një liste të pavarur.

“Jam kandidat nga Lista IDEAL, një listë e pavarur që e kemi ndërtuar me Bekim Jasharin dhe me përkrahjen e qytetarëve,” shtoi ai.

Lushtaku e cilësoi titullin e Klan Kosovës si “të qëllimshëm” dhe “dezinformues”, duke nënvizuar se edhe vetë gazetari brenda përmbajtjes së lajmit e sqaron se ai garon nga Lista IDEAL, gjë që sipas tij e bën manipulimin e titullit edhe më të rëndë.

Ai akuzoi televizionin për njëanshmëri dhe afërsi me kundërshtarët politikë, duke i bërë thirrje që të korrigjojnë titullin dhe të kërkojnë falje publike.

“Nga një medium si Klan Kosova – që tashmë dihet për lidhjet e tij me oponentët tanë – nuk pres profesionalizëm. Por kërkoj korrigjimin e menjëhershëm të lajmit dhe falje publike për këtë dezinformim,” përfundoi Lushtaku.

Ky reagim vjen në kohën kur gara për kryetar të Skenderajt po intensifikohet, ndërsa Lista IDEAL synon të rikthehet në qeverisjen lokale përmes kandidaturës së Nuredin Lushtakut.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë