Mediat gjermane flasin për suksesin e kompanisë së Shahin Dervishajt – punë shembullore në rrugët e Gjermanisë

Gazeta gjermane Stimme.de ka publikuar një artikull për punën intensive që po zhvillohet në rrugën “Horkheimer Straße” në qytetin Flein, ku kompania e ndërtimit të udhëhequr nga Shahin Dervishaj, një shqiptar i suksesshëm nga Drenica, po kryen një ndër projektet më të mëdha të rehabilitimit rrugor, transmeton portali DrenicaOnline.

Në një ditë me temperatura të larta verore, punëtorët e firmës janë të angazhuar me asfaltimin e rrugës, ku materiali i nxehtë prej 160 gradësh Celsius po vendoset përgjatë gjithë gjatësisë së saj. Më pas, shtresa e asfaltit forcohet me makineri të posaçme rrafshimi.

Pas katër muajsh punë intensive, projekti në këtë rrugë është drejt përfundimit. Sipas mediave gjermane, menjëherë pas përfundimit të pushimeve të Pfingst-it (pushime të njohura në Gjermani), do të hiqet devijimi i trafikut dhe autobusët do të rikthehen në itinerarin e tyre të zakonshëm.

Në këtë projekt janë përdorur 2000 ton zhavorr përgjatë një segmenti prej 380 metrash, që lidh rrugët Haigernstraße dhe Falterstraße. Shahin Dervishaj, drejtuesi i kompanisë, thekson se rruga ishte në gjendje shumë të rënduar, dhe kërkohej rindërtim i plotë. Janë ndërtuar edhe trotuare të reja dhe pjesa jugore e rrugës është zgjeruar me dy metra.

Po ashtu, është optimizuar e gjithë rruga, duke u ngushtuar në gjashtë metra, që sipas standardeve gjermane është gjerësia e zakonshme për rrugët nëpër vendbanime.

Ky projekt është një dëshmi e punës profesionale që kompania e Shahin Dervishajt po zhvillon në Gjermani, duke marrë vëmendjen dhe vlerësimin e mediave lokale.

Suksese të tilla janë dëshmi e kontributit të madh të mërgatës shqiptare në Evropë./DrenicaOnline/

 

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë