Deputeti Ferat Shala nderon heroin Asllan Fazliu: “Shtatorja e tij na obligon të qëndrojmë të bashkuar”

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, ka vendosur një tufë lule dhe ka mbajtur një minutë heshtje pranë shtatores së heroit të kombit, Asllan Fazliu – Komandant Luani, e cila u përurua me rastin e Ditës së Çlirimit të Komunës së Drenasit, transmeton portali DrenicaOnline.

Në një mesazh prekës, Shala ka kujtuar me krenari figurën e bashkëluftëtarit të tij, të cilin e kishte njohur që nga ditët e hershme të shkollës së mesme.

“Sot, i përjetësuar në bronz, Asllan Fazliu qëndron krenar në zemër të Drenasit dhe të Drenicës, si Hero i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe bashkëluftëtar i Fehmi e Xhevë Lladrovcit,” shkroi Shala.

Ai shtoi se lidhja me heroin e kishte filluar që në rini dhe ishte forcuar gjatë luftës së lavdishme të UÇK-së.

“Kam pasur nderin dhe fatin ta njoh dhe ta kem bashkëluftëtar në rrugën drejt lirisë,” u shpreh deputeti i PDK-së.

Sipas Shalës, shtatorja e Komandant Luanit është më shumë se një simbol – ajo është një kujtesë për përgjegjësinë që bartin të gjithë ata që besojnë në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Na obligon të mbrojmë vlerat e UÇK-së dhe të punojmë për forcimin dhe zhvillimin e shtetit të pavarur të Kosovës, për të cilin Asllan Fazliu u flijua,” përfundoi ai.

Lavdi përjetë heroit të kombit, Asllan Fazliu!

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë