Adnan Thaqi: 14 Qershori – Dita kur Drenasi nisi të marrë frymë lirisht!

Ish-kandidati i PDK-së për deputet, Adnan Thaqi, ka përkujtuar me emocion dhe krenari 14 Qershorin – Ditën e Çlirimit të Drenasit, duke e cilësuar këtë datë si një kthesë të madhe në historinë e qytetit dhe të popullit të Kosovës, transmeton portali DrenicaOnline.
Në një mesazh publik, Thaqi theksoi rëndësinë që ka kjo ditë për qytetarët e Drenasit, pasi më 14 qershor nisi epoka e lirisë, e shkruar me gjakun dhe sakrificën e më të mirëve të kombit.
“Në këtë ditë të shenjtë, në sheshin e qytetit u vendos busti i Heroit të Kombit, Asllan Fazliu – Komandant Luani. Asllani është ajo formë e rrallë e njeriut që bëhet ide, betim dhe frymë, jo vetëm për brezin e tij, por për çdo brez që kërkon liri me dinjitet,” ka shkruar Thaqi.
Ai e vlerësoi si domethënëse vendosjen e shtatores së Komandant Luanit në qendër të Drenasit, aty ku liria dhe historia bashkëjetojnë pranë emrave të mëdhenj si Adem, Hamëz e Shaban Jashari, Fehmi e Xhevë Lladrovci dhe shumë heronj të tjerë të pavdekshëm./DrenicaOnline/