Nderohet Heroi i Kosovës, Fatos Sherif Krasniqi – Një homazh për jetën, sakrificën dhe amanetin e lirisë përmes dokumentarit “Fatosi i Pëllumbave të Lirisë”

Nën patronazhin e Kryetarit të Komunës së Drenasit, z. Ramiz Lladrovci, u mbajt promovimi zyrtar i filmit dokumentar “Fatosi i Pëllumbave të Lirisë”, i autorit Nuhi Bytyqi, kushtuar jetës dhe veprës së Heroit të Kosovës, Fatos Sherif Krasniqi.

Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të shënimit të 26-vjetorit të çlirimit të komunës së Drenasit dhe Kosovës, duke përkujtuar me nderim dëshmorët dhe martirët që ranë për liri.

Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari Lladrovci theksoi rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike dhe vlerave për të cilat luftuan dëshmorët tanë, duke falënderuar veçanërisht familjen Krasniqi për kontributin e tyre atdhetar ndër breza.

Me fjalë mirënjohjeje dhe emocioni u paraqit edhe biri i dëshmorit, Albin Krasniqi, i cili falënderoi të gjithë të pranishmit për respektin e treguar ndaj figurës së të atit dhe familjes Krasniqi.

Filmi dokumentar 51-minutësh, i realizuar me mbështetjen e Komunës së Drenasit, Ministrisë së Kulturës së Republikës së Kosovës dhe familjes Krasniqi, pasqyroi me dinjitet jetën, kontributin dhe sakrificën e Fatos Sherif Krasniqit – nga veprimtaria e tij në demonstratat studentore, angazhimi në radhët e Njësitit të UÇK-së “Pëllumbi” e deri te rënia e tij heroike më 26 shtator 1998 në mbrojtje të popullatës civile.

Promovimi u përmbyll me vlerësime për autorin e dokumentarit, z. Nuhi Bytyqi, dhe me një mesazh për unitet e kujtesë kolektive ndaj atyre që dhanë jetën për lirinë që sot e gëzojmë.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë