Isak Neziri dhuron laptopë për shkollat në Drenas: “Bashkë mund të bëjmë më shumë për fëmijët e Kosovës”

Afaristi i njohur nga Drenica, Isak Neziri, ka realizuar një sërë vizitash të veçanta dhe mjaft mikpritëse në shkollat e komunës së Drenasit, duke përmbushur një premtim të dhënë më herët – dhurimin e laptopëve për nxënësit, transmeton portali DrenicaOnline.
Vizitat e fundit u zhvilluan në shkollat “Rasim Kiçina”, “Halil Bajraktari” dhe në shkollën e fshatit Baicë, ku Neziri u prit me ngrohtësi nga drejtuesit dhe stafi arsimor. Ai theksoi se ky është vetëm një hap simbolik në drejtim të mbështetjes së brezit të ri dhe përmirësimit të kushteve të të nxënit në shkolla.
“Kam vazhduar në vizita të ndara dhe shumë mikëpritëse me drejtuesit e shkollave në Drenas. Dhurova laptopët e premtuar në shenjë vullneti për të përmirësuar kushtet e qasjes më të lehtë të nxënësve në dije,” – u shpreh Neziri.
Ai shtoi se investimi në arsim është investimi më i vlefshëm për të ardhmen e vendit dhe u bëri thirrje edhe bizneseve të tjera që të bashkëpunojnë për të krijuar më shumë mundësi për të rinjtë.
“Bashkë mund të bëjmë më shumë për fëmijët e Kosovës,” – përfundoi Neziri.
Ky gjest i lartë human dhe i përkushtuar ndaj edukimit është një tjetër dëshmi se diaspora dhe afaristët nga Drenica po japin shembull të qartë të kontributit konkret për vendlindjen dhe të ardhmen e saj./DrenicaOnline/