“I ke 30 minuta… Koha po kalon, kanë mbetur dhe 28″/ Momenti historik kur gjenerali Harff dëbon ushtarët serbë nga Prizreni

Republika e Kosovës sot feston 26-vjetorin e çlirimit, duke shënuar përfundimin e okupimit serb dhe tentimin disavjeçar të Serbisë për spastrim etnik.
Nga 24 marsi e deri më 10 qershor, NATO-ja bombardoi Serbinë, për t’i dhënë fund një prej gjenocideve më të mëdha në Ballkan.
Teksa grupe paramilitare serbe haseshin në disa vende aty-këtu në Kosovë, edhe intervenimi i KFOR-it ishte i menjëhershëm, shkruan IndeksOnline.
Një ngjarje e tillë është dokumentuar nga media ndërkombëtare Associated Press, që ka xhiruar ultimatumin që iu ofrua serbëve për t’u larguar nga një fshat i Prizrenit.
Mbetet ikonik diskutimi i komandantit gjerman, Helmut Harff, i cili në debat e sipër me një oficer serb, i bëri me dije se po i përfundon koha e largimit.
“30 minuta i ke kohë për të lënë Kosovën” ishte deklarimi i komandantit Harff, i cili pasi shkëmbeu edhe disa fjalë me oficerin serb i tha: “Këtu përfundon diskutimi, të kanë mbetur edhe 28 minuta”.
Në xhirime më pas shfaqen ushtarët e dorëzuar serbë, që në këmbë marrin rrugën për në Serbi.
Në Kosovë, Harff ishte komandant i forcave gjermane dhe gjeneral i brigadës, nga dhjetori i vitit 1998, deri në qershor të 1999-s.
Në nëntor të ’99-s, Harff doli në pension. Ai ndërroi jetë në shtator të vitit 2018./IndeksOnline/