Gjylja që rrëfen një histori: Kujtimet e Shaban Xanit nga lufta e Kosovës

Shaban Xani, 31-vjeçar nga fshati Polac i Skenderajt, rrëfen për DrenicaOnline përjetimet e tij gjatë luftës së Kosovës përmes një fotografie me një gjyle topi, e realizuar nga NATO në gusht të vitit 1999.
Ai përshkruan momentin emocional kur pa për herë të parë pas sa vitesh këtë fotografi, që i riktheu kujtimet e dhimbshme dhe të errëta të asaj kohe, raporton DrenicaOnline.
Në atë periudhë, kur ishte vetëm 6 vjeç, Shabani ndodhej së bashku me gjyshin pranë një zone ku ishin të vendosur ushtarët e KFOR-it dhe gjyle topash të hedhura nga tanket serbe.
Një ushtar i KFOR-it e përqafoi me një buzëqeshje fëmijërore, duke i dhënë një ndjenjë fitoreje në mes të tmerrit të luftës.
Ai kujton se Skenderaji dhe fshati i tij Polac ishin ndër shënjestrat më të mëdha të ushtrisë serbe, dhe se familjet lokale, përfshirë familjen legjendare Jashari nga Prekazi, qëndronin në rezistencë të fuqishme.
Për shkak të sulmeve, ata u detyruan të largoheshin e të strehoheshin në fshatra të tjera dhe male, duke jetuar net të frikshme nën sulmet e armikut, ku gjyshi e mbulonte për të mbrojtur nga dridhjet e granatave.
Kjo gjyle bosh, me mbishkrim cirilik rus, mbetet simbol i një kohe të vështirë dhe një kujtim i gjallë për vuajtjet dhe rezistencën e popullit të Kosovës.
Sot, Shabani është ekonomist, jeton dhe vepron në Prishtinë, dhe punon në një institucion financiar/bankar, duke vazhduar jetën larg atyre ditëve të errëta, por me kujtime që nuk harrohen./DrenicaOnline/