“Wolt Kosovë & Shqipëri: Si po ndryshojmë jetën e përditshme dhe forcojmë ekonomitë lokale”

Pyetje: Urime për detyrën e re. Çfarë do të thotë për ju personalisht dhe profesionalisht të drejtoni operacionet e Wolt në Kosovë dhe Shqipëri?

Lisandri Dragoj: Në planin personal, ky është një moment jashtëzakonisht përmbushës. Jam shumë krenar që mund të kontriboj për vendet tona, ku ndihem pjesë e pandarë dhe për të cilin kam një lidhje të thellë, duke përmirësuar jetën e qytetarëve dhe duke formësuar mënyrën se si e përjetojnë komoditetin dhe teknologjinë çdo ditë. Gjithashtu, është hera e parë që familja arrin ta përmbledhë me një fjali krejt punën time “Lisandri sigurohet që ushqimi dhe blerjet online tash e tutje të mbërrijnë shpejt dhe me besim.”

Në planin profesional, kjo është një përgjegjësi e madhe dhe një sfidë tepër emocionuese. Drejtimi i operacioneve të Wolt në të dyja tregjet do të thotë më shumë se thjesht zgjerim biznesi—bëhet fjalë për ndërtimin e ekipeve lokale të forta dhe të fuqizuara, kultivimin e partneriteteve të besueshme dhe ofrimin e një shërbimi që me të vërtetë përmirëson jetën e njerëzve. Për mua, suksesi nuk matet vetëm me shifra; por me një udhëheqje që ka qëllim të qartë, kultivon afërsinë me komunitetet tona dhe krijon një ndikim afatgjatë e me vlerë.

Pyetje: A mund të na tregoni pak rreth përvojës suaj personale dhe profesionale para se t’i bashkoheshit Wolt? Si mendoni se do t’ju ndihmojë kjo përvojë në pozicionin tuaj të ri?

Lisandri Dragoj: Para se t’i bashkohesha Wolt, kam kaluar disa vite në industrinë e telekomunikacionit. Kjo përvojë formësoi aftësinë time për të punuar në tregje dinamike, për të ndërtuar dhe zbatuar strategji komerciale të forta, për të drejtuar ekipe me performancë të lartë dhe për t’u mbajtur të fokusuar tek nevojat reale të klientëve. Këto aftësi përkthehen drejtpërdrejt në rolin tim te Wolt, veçanërisht kur vjen fjala tek zgjerimi sa më efikas i operacioneve, optimizimi i performancës dhe ofrimi i një përvoje të shkëlqyer për përdoruesit e shërbimeve tona.

Pyetje: Wolt hyri në Kosovë në janar 2025, ndërsa në Shqipëri vitin e kaluar. Nga perspektiva e Wolt, cilat kanë qenë arritjet dhe mësimet kryesore nga ditët e para të kompanisë në të dyja vendet?

Lisandri Dragoj: Wolt hyri në Kosovë në janar 2025, pas një nisjeje të suksesshme në Shqipëri vitin paraprak. Vendimi për të hyrë në këto tregje u motivua nga misioni ynë për të sjellë një eksperiencë shpërndarjeje të avancuar dhe inovative në dy tregje me një peizazh kulinar të pasur dhe potencial të lartë rritjeje. Veçanërisht në Kosovë, ne prezantuam një koncept krejtësisht të ri në tregun lokal, duke u fokusuar së pari në ndërtimin e një ekipi të përkushtuar dhe në krijimin e marrëdhënieve të forta me konsumatorët dhe partnerët e biznesit.

Reagimet kanë qenë jashtëzakonisht inkurajuese. Po përjetojmë një entuziazëm të madh për komoditetin digjital në të dy vendet, me klientët që përqafojnë platformën e Wolt si një mënyrë të shpejtë, të besueshme dhe miqësore për t’u përdorur në porositjen prej bizneseve të tyre të preferuara. Në të njëjtën kohë, partnerët kanë mirëpritur modelin tonë, i cili u mundëson atyre të fokusohen te ajo që dinë më mirë—gatimi dhe shitja—ndërsa ne menaxhojmë logjistikën, fitimin e klientëve dhe shpërndarjen në kohë reale.

Skena e gjallë kulinare e Kosovës, infrastruktura në rritje digjitale dhe ambienti miqësor për bizneset kanë krijuar themelin ideal për një lansim të suksesshëm. Te Wolt, qëllimi është të fuqizojmë komunitetet lokale dhe të thjeshtësojmë jetën e përditshme duke lidhur njerëzit me produktet që duan, shpejt, pa probleme dhe me besueshmëri. Kosova dhe Shqipëria ofrojnë një mjedis ideal për ne që të zgjerohemi, të jemi kreativ dhe të vazhdojmë të bëjmë një ndryshim të rëndësishëm në jetën e njerëzve që u shërbejmë.

Pyetje: Si e shihni potencialin e rritjes së Wolt në Kosovë?

Lisandri Dragoj: Jemi shumë të kënaqur me progresin që kemi bërë dhe me pritjen e ngrohtë nga klientët dhe bizneset lokale. Që prej nisjes sonë, kemi parë angazhime të konsiderueshme, partneritete në rritje dhe komente shumë pozitive nga klientët. Wolt hyri në tregun kosovar me një mision të qartë: të sjellë gëzim, thjeshtësi dhe mundësi fitimi për shoqërinë kosovare.

Në Kosovë, ne nisëm njëkohësisht shërbimet e shpërndarjes së ushqimit dhe ato të shitjeve me pakicë, një gjë që nuk ndodh gjithmonë në tregje të tjera gjatë fazës së parë të lansimit të Wolt. Jam krenar të ndaj se Kosova ka qenë një nga nisjet më të suksesshme në botë për Wolt, gjë që dëshmon jo vetëm punën tonë por edhe përgatitjen dhe entuziazmin e komunitetit lokal.

Aktualisht operojmë në Prishtinë, por planifikojmë të zgjerohemi së shpejti edhe në qytetet e tjera të mëdha të vendit. Deri në fund të vitit, pritet që mbi 500 biznese lokale të jenë aktive në platformë dhe më shumë se 250 partnerë shpërndarës do të kenë mundësinë të gjenerojnë të ardhura përmes punës së fleksueshme me Wolt.

Me aplikacionin intuitiv të Wolt, një përvojë të vazhdueshme të porositjes dhe fokusin tonë tek klienti, besojmë se ekziston një potencial i jashtëzakonshëm për rritje në Kosovë dhe përforcim më të madh të mbështetjes sonë për ekonominë lokale.

Pyetje: Wolt paraqitet si kompani teknologjike dhe jo thjesht si platformë shpërndarjeje. Si do të shpjegonit këtë tek partnerët dhe klientët lokalë në rajon?

Lisandri Dragoj: Wolt është mbi të gjitha një kompani teknologjike, jo vetëm një shërbim shpërndarjeje. Ajo çka na dallon është infrastruktura e fuqishme digjitale pas platformës sonë, e cila lidh klientët, bizneset dhe shpërndarësit në një mënyrë pa ndërprerje, efikase dhe të shkallëzuar. Ne investojmë vazhdimisht në zhvillimin dhe optimizimin e infrastrukturës tonë teknologjike, duke siguruar që aplikacionet për shpërndarësit dhe tregtarët, platformat për klientët dhe sistemet e sigurisë së pagesave të funksionojnë së bashku pa probleme.

Nga kjo qasje e bazuar në teknologji përfitojnë të gjithë: klientët marrin shërbim cilësor, tregtarët zgjerojnë biznesin pa mundim, dhe shpërndarësit përfitojnë fleksibilitetin dhe efikasitetin e sistemit tonë. Duke shfrytëzuar teknologjinë, ne nuk vetëm që shpërndajmë ushqim dhe mallra, por krijojmë një përvojë më miqësore të blerjeve online për jetën urbane moderne.

Pyetje: Çfarë rol mund të luajë Wolt në mbështetjen e ekonomive lokale, veçanërisht të bizneseve të vogla dhe të mesme në Kosovë dhe Shqipëri?

Lisandri Dragoj: Wolt është thellësisht i përkushtuar në mbështetjen e ekonomive lokale dhe në bërjen e qyteteve vende më të mira për t’u jetuar. Bizneset e vogla dhe të mesme janë shtylla kurrizore e industrisë së ushqimit dhe shitjeve me pakicë si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri. Duke u bashkuar me platformën tonë, ato fitojnë dukshmëri më të madhe, mundësi të shtuar shitjesh dhe mbështetje logjistike që i ndihmon të rriten në mënyrë efikase.

Platforma jonë bashkëpunon me një gamë të larmishme restorantesh dhe dyqanesh, duke lejuar bizneset të arrijnë një bazë më të gjerë klientësh dhe të plotësojnë nevojat e ndryshme të konsumatorëve. Kemi marrë reagime jashtëzakonisht pozitive nga partnerët tanë, shumica e të cilëve raportojnë përmirësime në efikasitet, rritje klientësh dhe rritje të përgjithshme që nga bashkëpunimi me Wolt.

Ndërsa rritemi, ne mbetemi të përqendruar në krijimin e vlerës afatgjatë dhe të qëndrueshme për partnerët tanë, duke i ndihmuar ata të lulëzojnë në një treg gjithnjë e më dixhital e të konkurueshëm.

Pyetje: Si planifikoni të lokalizoni më tej shërbimet dhe ekipin e Wolt për t’iu përgjigjur më mirë nevojave dhe preferencave të klientëve në të dy vendet?

Lisandri Dragoj: Lokalizimi është në thelb të strategjisë sonë. Po ndërtojmë një ekip që kupton preferencat dhe kulturën unike të secilit treg. Në Kosovë, për shembull, kemi vërejtur një vlerësim të fortë për kuzhinën tradicionale, së bashku me një interes në rritje për ofertat ndërkombëtare.
Partneritetet tona pasqyrojnë këtë diversitet, dhe ne përshtasim në mënyrë të vazhdueshme strategjitë tona të marketingut, mbështetjes ndaj klientit dhe mënyrën e bashkimit të tregtarëve për t’iu përshtatur pritshmërive vendore. Për më tepër, punojmë ngushtë me ekipet dhe palët vendore për t’u siguruar që shërbimet tona janë të rëndësishme dhe të përgjegjshme ndaj nevojave të komunitetit.

Duke qëndruar afër përdoruesve dhe partnerëve tanë, sigurohemi që Wolt të ndihet si një pjesë e integruar natyrale e jetës së përditshme.

Pyetje: Kosova ka një popullsi të re gjithnjë e më të aftë në teknologji. A shihni mundësi për Wolt që të mbështesë inovacionin, krijimin e vendeve të punës apo përfshirjen digjitale këtu?

Lisandri Dragoj: Absolutisht. Kosova është një nga vendet më premtuese në rajon për inovacionin e udhëhequr nga të rinjtë dhe angazhimin digjital. Me një popullsi të re, të arsimuar dhe që flet anglisht, si dhe një ekosistem startup-esh të gjallë, Kosova është një mjedis ideal për një kompani si Wolt të lulëzojë dhe të kontribuojë.

Ne shohim mundësi jo vetëm për krijimin e vendeve të punës, përmes partneriteteve me shpërndarës dhe punësimit lokal, por edhe për mbështetjen e sipërmarrjes dhe përfshirjes digjitale. Duke punuar me zhvillues lokalë, biznese dhe profesionistë kreativë, synojmë të nxisim inovacionin dhe të kontribuojmë në një shoqëri digjitale më të lidhur dhe më të fuqizuar.

Pyetje: Duke qenë se Wolt është pjesë e grupit DoorDash, si përputhet drejtimi juaj në Kosovë dhe Shqipëri me strategjitë më të gjera rajonale dhe globale?

Lisandri Dragoj: Zgjerimi i Wolt në Shqipëri e më pas në Kosovë pasqyron jo vetëm ambicien e kompanisë për tu rritur, por edhe potencialin dhe hapësirën mikpritëse të këtyre tregjeve. Të dy vendet janë dinamike, në zhvillim të shpejtë dhe të lidhura kulturalisht me ekosistemin global të teknologjisë.
Si pjesë e grupit DoorDash, përfitojmë nga praktikat më të mira globale, teknologjitë e përparuara dhe ekspertiza ndërkombëtare, duke ruajtur njëherazi drejtim të fortë vendor dhe autonomi. Fokusi ynë mbetet në mbështetjen e ekonomive lokale, fuqizimin e bizneseve të vogla dhe bërjen e qyteteve vende më të mira për t’u jetuar përmes zgjidhjeve më të zgjuara dhe më efikase të shpërndarjes.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë