Petrit Hajdari përkujton motrën e tij, Besmirën, në 26-vjetorin e rënies: “Një fëmijë që ëndërronte lirinë, u këput në lulen e jetës”

Sot, më 11 qershor, u bënë 26 vite nga rënia e Besmira Enver Hajdarit, një vajzë 10-vjeçare nga fshati Dritan i Drenicës, e cila u vra mizorisht nga forcat serbe në përpjekje për të shuar shpresën dhe besimin për liri.

Petrit Hajdari, ish-kandidat për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës dhe vëllai i Besmirës, ka ndarë një mesazh prekës në kujtim të saj, duke përshkruar dhimbjen që familja e tij ndjen çdo vit në këtë përvjetor.

Në përkujtim të saj, familjarët dhe miqtë janë mbledhur pranë lapidarit të Besmirës, i vendosur në oborrin e shkollës fillore “Rilindja” në Dritan – aty ku dikur ajo ëndërronte të kthehej e para në klasë. Me lule të freskëta, dhimbje, mall dhe krenari, ata kanë kujtuar shpirtin e pastër të një fëmije që u ndërpre në lulen e jetës.

Petrit Hajdari kujton me mall fytyrën e motrës së tij, e cila buzëqeshte çdo herë që babai i tyre vinte nga pika e UÇK-së. Ajo e priste me entuziazëm dhe i ndriçonte sytë sa herë që dëgjonte fjalët: “Po vjen liria”. Ishte një besim i pastër, fëmijëror, por i fortë – që për të dhe shumë të tjerë, u bë burim shprese në ditët më të errëta.

Por mëngjesi i 11 qershorit 1999 solli tragjedinë më të madhe për familjen Hajdari. Një breshëri plumbash goditi vendin ku ata ishin strehuar – lugun e madh – duke marrë jetën e Besmirës. Që nga ajo ditë, ai vend mban emrin “Lugu i Besës”, në nder të saj.

“Fëmijët janë më të pafajshmit në çdo luftë,” shkruan Hajdari, duke theksuar se Besmira kishte vetëm ëndrra, paqe dhe dashuri në shpirt. Ajo nuk rreshti së besuari se UÇK-ja do ta sillte lirinë – dhe ajo liri, ndonëse e vonuar për të, erdhi si trashëgimi e gjakut të saj dhe të shumë fëmijëve e dëshmorëve të tjerë.

“Motra ime ishte vetëm 10 vjeç. Një njomake e pafajshme që nuk pati kohë të jetojë jetën, por e dhuroi atë për qëllimin më të lartë që njeh një popull – lirinë,” shkruan më tej Petrit Hajdari.

Në fund, ai i jep zë dhimbjes së heshtur që çdo vit ringjallet në këtë ditë, por edhe krenarisë së pashuar për sakrificën e motrës së tij, të cilën e quan “Besa jonë” – një simbol që nuk do të shuhet kurrë.

“Pushofsh e qetë, Besa jonë. Ti nuk je harruar. Kujtimi yt do të jetojë përjetësisht.”

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë