Naim Bazaj kërkon drejtësi për kontributin kombëtar të fshatit Qëndresë

Naim Bazaj ka zyrtarizuar ditë më parë kandidaturën e tij për kryetar të Komunës së Drenasit nën siglën “Iniciativa për Drenasin”. Në deklaratën e tij të radhës, ai ka ngritur shqetësime serioze për, siç e quan ai, “anashkalimin e qëllimshëm dhe trajtimin jo të barabartë” të kontributit të fshatit Qëndresë dhe zonës përreth në zhvillimet politike dhe kombëtare të pasluftës.

“Pse fshati ynë me 25 dëshmorë është anash? A ka dallim mes dëshmorëve? A bëhet historia sipas simpative partiake?” – ka pyetur publikisht Bazaj, duke theksuar se komuniteti i Qëndresë 1 dhe 2 ndjen një zhgënjim të thellë për mungesën e përfaqësimit dhe nderimeve institucionale.

Ai përmendi rastin e Adem Sh. Mulajt, ish-shef operativ në Brigadën 113, i cili sipas tij ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm gjatë luftës, por është lënë në harresë nga institucionet, ndonëse të tjerë me pozita të ngjashme janë nderuar.

“Ne nuk po kërkojmë privilegje, por drejtësi. Nuk po kërkojmë favore, por barazi”, u shpreh Bazaj, duke shtuar se historia nuk duhet të manipulohet sipas linjave partiake dhe të mos ndahen dëshmorët sipas përkatësisë politike.

Ai bëri apel të drejtpërdrejtë ndaj Komunës së Drenasit, si dhe institucioneve qendrore, që të rishikojnë mënyrën e dokumentimit dhe nderimit të të gjithë kontribuuesve të luftës.

“Mos e lini fshatin tonë vetëm për t’ju sjellë vota e zhag në pushtet, e më pas të harrohet”, theksoi ndër të tjera Bazaj, duke ngritur pikëpyetje edhe për mënyrën e shpenzimit të buxhetit për shtatore dhe përzgjedhjen e personave që nderohen.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë