Ministrja Albulena Haxhiu dhe Ismail Dibrani vizitojnë Qendrën për Promovimin e të Drejtave të Grave në Drenas

Në një takim domethënës dhe përplot simbolikë, Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave në Drenas mirëpriti sot ministren e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu, dhe aktivistin e njohur z. Ismail Dibrani.
Gjatë takimit, u theksua rëndësia e luftimit të stigmatizimit dhe fuqizimit të të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës, si dhe nevoja për një përfshirje më të madhe institucionale në përkrahjen e tyre. Përfaqësuesit e qendrës diskutuan edhe për sfidat e vazhdueshme, përfshirë mungesën e fondeve që po e vështirësojnë realizimin e projekteve të rëndësishme.
Ministrja Haxhiu u zotua për mbështetje të plotë: “Do ta keni mbështetjen time në realizimin e projekteve. Të mbijetuarat meritojnë përkrahje dhe dinjitet,” theksoi ajo.
Nga ana tjetër, z. Ismail Dibrani vlerësoi angazhimin e Qendrës dhe rolin e saj të pazëvendësueshëm në përkrahjen e të mbijetuarave dhe në fuqizimin e grave në përgjithësi.
Drejtoresha e qendrës, znj. Kadire Tahiraj, falënderoi të dy për vizitën dhe përkrahjen e dhënë, duke e cilësuar atë si një motivim për të vazhduar misionin e tyre në mbrojtje të të drejtave të grave dhe të mbijetuarave të luftës.