Afaristi Isak Neziri vazhdon mbështetjen për shkollat e Drenasit – dhuron laptopë dhe zhvillon takime me staf pedagogjik

Afaristi i njohur nga Drenica, Isak Neziri, ka vazhduar vizitat e tij nëpër shkollat e Komunës së Drenasit, duke sjellë jo vetëm premtime të mbajtura, por edhe përkushtim të sinqertë për përmirësimin e kushteve në arsim.

Gjatë ditës së sotme, ai ka vizituar shkollat në Vasilevë, Korroticë e Epërme dhe Krojkov, ku ka dhuruar laptopët e premtuar, si pjesë e iniciativës së tij për fuqizimin teknologjik të institucioneve arsimore në rajon.

“Kalova momente të mira diskutimi me drejtorët dhe mësimdhënësit për mënyrat se si të përmirësojmë edhe më shumë mundësitë teknologjike për edukim më të mirë të nxënësve tanë,” tha Neziri pas vizitave.

Përveç dhurimit të pajisjeve, Neziri theksoi rëndësinë e dialogut të vazhdueshëm me komunitetin arsimor, duke u zotuar se mbështetja e tij për shkollat e Kosovës do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Ky angazhim vjen si dëshmi e përkushtimit të tij për investim në të ardhmen e vendit përmes edukimit cilësor dhe infrastrukturës moderne shkollore.

 

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë