Këta janë tre policët që ia “panë sherrin” vizitës së Kurtit në Skenderaj

Tre zyrtarë policorë të Stacionit Policor në Skenderaj janë suspenduar për 72 orë, pasi dyshohen se nuk kanë ndërmarrë veprime adekuate gjatë incidentit kur disa qytetarë sulmuan me vezë eskortën e kryeministrit Albin Kurti në Skenderaj.
Në komunikatën zyrtare të Policisë thuhet se Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë Jug, në koordinim me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), ka ndërmarrë masën e suspendimit ndaj tre punonjësve policorë për shkak të mungesës së reagimit në rastin e prishjes së rendit dhe qetësisë publike.
Sinjali ka siguruar ekskluzivisht emrat e tre zyrtarëve policorë që janë suspenduar nga detyra: Leutrim Prokshi, polic reagues, Stacioni Policor Skenderaj, Nexhat Rama, polic, Stacioni Policor Skenderaj, Musa Hasani, polic, Skenderaj.
Sipas informacioneve të para, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar masën e suspendimit për mosmarrje të veprimit dhe moszbatim të planit operacional për sigurimin e vizitës së Kryeministrit, që ishte paraparë paraprakisht.
Aktualisht ndaj tyre po zhvillohen hetime të brendshme për të sqaruar rrethanat dhe përgjegjësitë konkrete të secilit zyrtar të përfshirë në sigurimin e ngjarjes.