Ramiz Lladrovci, kandidat i propozuar nga Dega e PDK-së për kryetar të Drenasit: “Ky besim është obligim ndaj qytetarëve!”

DrenicaOnline ka raportuar më heret se Kryetari aktual i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka marrë mbështetjen zyrtare të Kryesisë së Degës së PDK-së në Drenas për të kandiduar sërish për kryetar në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Në mbledhjen e Kryesisë, kandidatura e Lladrovcit është votuar me 42 vota për, një kundër dhe një abstenim.
Lladrovci ka shprehur mirënjohje për këtë përkrahje të fuqishme, duke e cilësuar si besim që përveç nderit, është edhe një obligim ndaj qytetarëve.
“Falënderoj Kryesinë e Degës së PDK-së në Drenas, për miratimin e propozimit për kandidaturën time për kryetar të komunës për zgjedhjet e 12 Tetorit”, ka shkruar Lladrovci në reagimin e tij, transmeton portali DrenicaOnline.
Ai shtoi se tani pret edhe miratimin e Kryetarit të PDK-së, duke theksuar se Dega e Drenasit ka qenë gjithmonë fituese që nga paslufta.
“Me punë e përkushtim, uniteti i dëshmuar i Degës së PDK-së në zgjedhjet nacionale, pres të përsëritet edhe në zgjedhjet lokale. Drenasi, dje bastion i UÇK-së dhe sot bastion i PDK-së, është i pathyeshëm në rrugën dhe vizionin e heronjve tanë të luftës dhe paqes, Hashimit, Kadriut, Jakupit.”
Lladrovci theksoi se Komuna e Drenasit është gjashtë herë kampione e qeverisjes së mirë në nivel nacional dhe se kjo arritje është rezultat i qytetarëve të angazhuar dhe një dege të PDK-së të organizuar më së miri në vend.
“Besimi që mu dha është jo vetëm detyrë, por edhe obligim në shërbim të qytetarëve të Komunës së Drenasit!”
Me këtë vendim, Lladrovci është hapi i parë drejt një kandidature që pritet të mbështetet edhe në nivel qendror nga Partia Demokratike e Kosovës./DrenicaOnline/