Isak Neziri, ish-kandidati i PDK-së që mori mbi 16 mijë vota: Po i përmbush zotimet edhe pa u bërë deputet

Edhe pse nuk arriti të sigurojë ulëse në Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet e fundit, Isak Neziri, ish-kandidat për deputet nga radhët e PDK-së, po dëshmon se angazhimi për qytetarët nuk ndalet me përfundimin e fushatës, transmeton portali DrenicaOnline.

Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, Neziri ka bërë të ditur se ka filluar të zbatojë zotimet e dhëna gjatë fushatës, duke nisur me ndihmë konkrete për sektorin e arsimit.

“Fushata zgjedhore ka përfunduar, por jo edhe aktivitetet e mia në takime me qytetarë. Zotimet e mia në fushatë, edhe pse nuk mora votat e mjaftueshme për deputet, kam nisur me kënaqësi t’i zbatoj,” ka shkruar ai.

Ai njofton se ka vizituar shkollat në Gllanasellë, Gradicë dhe Likoshan, ku ka shpërndarë donacionet e premtuara – laptopë për nevojat e nxënësve.

“Jam i lumtur që po kontribuoj në edukimin më të mirë të fëmijëve të Drenicës dhe Kosovës,” shkruan Neziri, i cili në zgjedhjet e fundit kishte marrë mbi 16 mijë vota, duke qenë shumë afër të bëhet deputet.

Isak Neziri është vlerësuar si një ndër figurat e reja me mbështetje të gjerë në PDK, dhe aktivizimi i tij i vazhdueshëm edhe pas zgjedhjeve po shihet si shembull pozitiv për politikën kosovare./DrenicaOnline/

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë