Ramiz Lladrovci me mesazh të qartë: Mos i hidhni Kosovës gurë nën rrota!

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar lidhur me situatën aktuale politike në vend, duke kritikuar qasjen e kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe partisë së tij, Lëvizjes Vetëvendosje, pas zgjedhjeve të fundit.

Sipas Lladrovcit, interpretimet e gabuara të rezultateve zgjedhore dhe arroganca me numrat po e thellojnë krizën institucionale në vend.

“Disave matematika nuk po ju vlen, 48 nuk janë 61. Kur një parti është e para, me 42.2%, ka përgjegjësi për të ftuar partitë tjera më të vogla, për të arritur 50% plus 1, numër i cili i jep kredibilitet për ndërtimin e institucioneve, Kuvendin dhe Qeverinë,” ka deklaruar ai.

Kryetari i Drenasit ka theksuar se Kosova po përballet me sanksione dhe me nivelin më të lartë të varfërisë në Evropë, për çka i ka kërkuar Kurtit dhe bashkëpunëtorëve të tij që të tregojnë përgjegjësi dhe të ofrojnë zgjidhje për tejkalimin e krizës.

“Krahasimi me Belgjikën rreth vonesave është më shumë se qesharak, GDP-ja e Belgjikës është 60 herë më e madhe se ajo e Kosovës, të ardhurat për frymë i ka 8 deri 9 herë më të larta se në Kosovë, ndërsa nga pavarësia, Belgjika numëron 53 kryeministra, e Kosova vetëm 13,” ka shtuar Lladrovci.

Ai ka përkujtuar se edhe me më pak deputetë, si në rastin e ish-presidentit Hashim Thaçi, institucionet janë ndërtuar dhe janë arritur suksese në arenën ndërkombëtare.

Në fund, Lladrovci ka dhënë edhe një mesazh të drejtpërdrejtë:

“Kurti ta ndryshojë kandidaten për kryeparlamentare dhe Kosova të ecë përpara. Nëse i bën 61 vota, lë ta bëj edhe Qeverinë. Mos i hidhni Kosovës gurë nën rrota. Nëse mundeni, prishni atë që vet e keni ndërtuar, jo atë që e ndërtuan të tjerët!”

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë