Lladrovci: Mosreagimi ndaj krizës së Feronikelit po sjell pasoja për gjithë bizneset vendore

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar ashpër lidhur me situatën e rënduar në Kombinatin Industrial “Feronikeli”, duke rikujtuar se vite më parë, ai kishte alarmuar për nevojën urgjente të furnizimit me energji elektrike për këtë gjigant industrial, por pa asnjë veprim nga institucionet qendrore.
“Kur e kemi alarmuar gjendjen e furnizimit me energji të gjigantit industrial ‘Feronikeli’, vendimmarrësit e Republikës së Kosovës nuk e trajtuan mundësinë për ta furnizuar me rrymë,” deklaron Lladrovci.
Gjendja e “Feronikelit” është përkeqësuar ndjeshëm gjatë viteve të fundit. Rreth 700 punëtorë me kontrata të drejtpërdrejta dhe mbi 500 të tjerë të angazhuar në mënyrë indirekte po marrin vetëm 65% të pagës, tashmë për 20 muaj, që nga ndalimi i prodhimit.
Procesi i ftohjes së furrës elektrike, i cili kërkon investime milionëshe për t’u ristartuar, e ka bërë edhe më të ndërlikuar rikthimin në funksion të kombinatit.
Lladrovci kritikon mungesën e reagimit institucional dhe të solidaritetit nga kompanitë e mëdha në Kosovë. “Askujt nuk i bëri përshtypje mospuna e ‘Feronikelit’, mbase dikush e mendonte se biznesi nuk mund të shpërngulej nga Kosova dhe pronarët paguajnë se janë të fuqishëm”, u shpreh ai.
Sipas tij, kjo neglizhencë tashmë po reflektohet negativisht në të gjithë sektorin privat. Ai paralajmëron se zbatimi i detyrueshëm i blerjes së energjisë nga bursa për bizneset vendore do të shkaktojë dëme të mëdha dhe të pariparueshme.
“Për fat të keq, nuk u mor mësim nga përvoja e ‘Feronikelit’ për furnizim me energji. Tash, bizneset vendore do të kenë përvojë të cilën do ta paguajmë të gjithë”, përfundon Lladrovci.