Gjykata e Speciales vendos afatet kyçe: Më 14 korrik vendimi për rrëzimin e aktakuzës ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Trupi Gjykues në çështjen kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit ka përcaktuar 12 qershorin si afatin përfundimtar që ekipet mbrojtëse të dorëzojnë mocionin e përbashkët për rrëzimin e aktakuzës.

Për më tepër, me vendim të Panelit të kryesuar nga gjyqtari Charles Smith, Prokurorisë së Specializuar i është shkurtuar afati për të dorëzuar kundërshtimin ndaj kërkesës së mbrojtësve Misetiq, Dixon, Roberts dhe Alagendra. Sipas këtij vendimi, prokurorja Kimberly West dhe ekipi i saj do të kenë afat deri më 7 korrik për të argumentuar pse duhet të qëndrojë në fuqi aktakuza aktuale.

Gjykata ka bërë të ditur se synon të japë vendimin për rrëzimin apo jo të aktakuzës më 14 korrik. Në varësi të këtij vendimi, do të përcaktohen edhe afatet e mëtejshme gjyqësore. Mbrojtësi i Viktimave do të paraqesë dëshmitë e tij, ndërsa ekipet mbrojtëse do të kenë afat deri më 16 korrik për të konfirmuar nëse do të paraqesin rastin e tyre gjatë vjeshtës dhe nëse do të thërrasin dëshmitarë.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë