Ky është i dyshuari dhe viktima në tentim vrasjen në Qirez – Therje brutale me 6 plagë në trup

Detaje të reja nga rasti i rëndë që ndodhi mbrëmë në fshatin Qirez të Skenderajt, ku një përleshje mes të rinjve përfundoi me therje të rëndë me thikë dhe me rrezik për jetën.
Burime të sigurta të Sinjalit bëjnë me dije se i dyshuari për veprën penale “Vrasje në tentativë” është F.Xhemajli, 19-vjeçar, ndërsa viktima është i riu E.Koca.
Ngjarja ndodhi më 5 qershor rreth orës 21:20, kur viktima shkoi në lagjen “Xhemajli” ku banon i dyshuari dhe sipas dëshmisë, pas një konflikti të mëhershëm mes tyre, ka shpërthyer një përleshje fizike që degjeneroi në therje me thikë.
E.Koca ka pësuar gjashtë plagë të thella me mjet të mprehtë dhe është dërguar në QKMF Skenderaj, më pas në Spitalin Rajonal Mitrovicë dhe përfundimisht në QKUK në Prishtinë, ku ndodhet nën përkujdesje intensive.
Në vendin e ngjarjes, hetuesit kanë gjetur njolla gjaku, një thikë që mbyllet, e dyshuar si arma e krimit, një pjesë e pushkës së gjuetisë, një shkop druri dhe bisht lopate, që janë sekuestruar për ekzaminim.
Edhe i dyshuari ka pësuar lëndime dhe është trajtuar në spital nën mbikëqyrjen e Policisë. Ai është ndaluar për 48 orë me vendim të Prokurorisë dhe ndaj tij është iniciuar rasti “Vrasje në tentativë”.
Një dëshmitar, familjar i të dyshuarit, ka deklaruar se gjatë incidentit është kanosur me armë zjarri nga persona të tjerë dhe ka dëgjuar të shtëna në ajër, por në vendin e ngjarjes nuk janë gjetur gëzhoja.