Shukri Buja kandidat i PDK-së për kryetar të Lipjanit

Dega e PDK-së në Lipjan, ka njoftuar se kandidati i tyre për kryetar të kësaj komune do të jetë Shukri Buja.
Buja gjithashtu do të udhëheqë me këtë degë të PDK-së në Lipjan.
Njoftimi i plotë pa ndërhyrje:
Të dashur qytetarë të Lipjanit, të nderuara struktura të PDK-së,
Sot, në mbledhjen e Kryesisë së PDK-së në Lipjan, me propozimin tim dhe me votim unanim të Kryesisë, u nominua zyrtarisht z. Shukri Buja si kandidat për kryetar të Komunës së Lipjanit, nga Partia Demokratike e Kosovës.
Falënderoj nga zemra të gjitha strukturat lokale të PDK-së për bashkëpunimin, angazhimin dhe besimin. Po ashtu, e vlerësoj lart mbështetjen e lidershipit qendror të partisë, që së bashku na japin siguri se fitorja jonë është e padiskutueshme.
Gjithashtu, me propozimin tim, z. Shukri Buja do të ushtrojë edhe detyrën e udhëheqësit të Degës së PDK-së në Lipjan.
Unë, së bashku me Kryesinë, aktivistët dhe çdo anëtar të përkushtuar të partisë sonë, do të jem krah për krah në mbështetje të kryetarit të ardhshëm të Lipjanit, z. Buja.
Ftoj të gjithë qytetarët, pa dallim bindjesh, që të bashkohen me ne në këtë rrugëtim të rëndësishëm dhe të bëhen pjesë e fitores sonë të përbashkët.
Bashkë për një Lipjan më të zhvilluar dhe një të ardhme më të mirë!
Me respekt,
Prof. Ass. Dr. Hyzer Rizani