Ramiz Lladrovci publikon fjalimin e plotë nga Mbledhja e Këshillit Drejtues të PDK-së: “I kam bërë krenar liderët tanë, po e bëj krenare PDK-në”

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka ndarë me publikun fjalën e tij të mbajtur në Mbledhjen e Këshillit Drejtues të PDK-së, e cila ka zgjuar interesim të madh tek aktivistët dhe anëtarët që nuk ishin të pranishëm në mbledhje.

Në fjalimin e tij, Lladrovci thekson rëndësinë e kësaj mbledhjeje për të ardhmen politike të PDK-së dhe kujton premtimin e dhënë ndaj Kadri Veselit dhe Hashim Thaçit në vitin 2016, për të qeverisur mirë Drenasin – premtim që thotë se e ka mbajtur me nder.

“Jam i lumtur se e kam realizuar premtimin. Gara e performancës komunale, e cila realizohet për shtatë vjet rresht, gjashtë herë jam shpallur kampion dhe një herë në vendin e tretë për qeverisje të mirë, transparente dhe llogaridhënëse,” tha ai.

Lladrovci tha se ky sukses nuk është vetëm personal, por është rezultat i punës së përbashkët të kabinetit, administratës komunale dhe udhëheqjes së PDK-së.

Ai kërkoi që të respektohen parimet e proklamuara nga Kadri Veseli për kandidaturat për kryetarë komunash, duke theksuar se sfidat e forcojnë dhe se karakteri i tij është formuar në përballje me vështirësi dhe rreziqe.

“PDK është parti e krijuar nga drejtuesit e ushtrisë sonë çlirimtare. Ne kemi vizion dhe guxim për të bërë më të mirën për qytetarët tanë. Jemi të vendosur për fitore, jo vetëm në Drenas, por në të gjitha komunat ku kemi qeverisur e do të qeverisim,” theksoi ai.

Ai bëri thirrje për unitet në prag të zgjedhjeve lokale dhe tha se organizimi i fushatës së kaluar në Drenas duhet të shërbejë si shembull për degët e tjera të PDK-së në vend.

“Drenasi ka kapacitete njerëzore dhe profesionale për të qeverisur jo vetëm Drenasin, por edhe shumë më shumë. Kush ia do të mirën partisë, le ta lë egon në shtëpi,” përfundoi Lladrovci.

Fjalimi i plotë tashmë është i publikuar për të gjithë ata që nuk patën mundësi ta dëgjojnë gjatë mbledhjes, duke rritur mobilizimin dhe motivimin brenda strukturave të PDK-së në Drenas dhe më gjerë.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë