Petrit Gashi padit për shpifje Ardi Marajn: Kërkon veprim të drejtësisë për fushatën e denigrimit në Drenas

Drejtori për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit në Komunën e Drenasit, Petrit Gashi, ka njoftuar se sot, më 5 qershor 2025, ka dorëzuar një padi për shpifje në Gjykatën Themelore në Pejë – dega në Istog, ndaj Ardi Marajt, për shkak të deklaratave të pavërteta të publikuara në profilin e këtij të fundit në Facebook më 1 qershor, transmeton portali DrenicaOnline.
Gashi ka bërë të ditur se bashkë me padinë ka dorëzuar edhe prova materiale që, sipas tij, dëshmojnë përpjekjet për ta denigruar atë personalisht dhe institucionin që udhëheq.
“Bëhet fjalë për shpifje të rënda dhe tendencioze që kanë synim dëmtimin e reputacionit tim dhe dezinformimin e opinionit publik”, ka theksuar ai.
Në të njëjtën deklaratë, Gashi ka adresuar edhe çështjen e faqeve të rreme në Facebook që, sipas tij, janë aktive në komunën e Drenasit dhe përhapin lajme të pavërteta. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos bien pre e dezinformatave dhe ka njoftuar se është në bashkëpunim me institucionet e sigurisë për të mbledhur prova lidhur me shantazhe dhe shpifje që datojnë që nga viti 2021.
“Disa prej këtyre individëve tashmë kanë edhe vendime gjyqësore dënimi. Ata maskohen pas faqeve që i quajnë ‘portale’, por në fakt kanë për qëllim përhapjen e shpifjeve dhe lajmeve të rreme”, ka thënë Gashi.
Ai i ka bërë thirrje Prokurorisë dhe Gjykatës që të veprojnë me shpejtësi dhe të zbardhin të vërtetën, për të cilën është i bindur se është në anën e tij.
Deklarata e Gashit vjen në një periudhë ku përballja me shpifjet në rrjete sociale është kthyer në një sfidë serioze për zyrtarët publikë në nivel lokal./DrenicaOnline/