Drejtoresha Albulena Saliuku, pjesë e vizitës studimore në Suedi

Drejtoresha për Buxhet dhe Financa në Komunën e Drenasit, Albulena Saliuku, po përfaqëson komunën në një vizitë studimore në Suedi, me ftesë të Helvetas Kosovo në bashkëpunim me SALAR International.
Saliuku tha se ndjehet e nderuar që është pjesë e delegacionit nga Kosova, të përbërë nga përfaqësues të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), kryetarë komunash, si dhe përfaqësues nga Helvetas, Ambasada Zvicerane dhe Ambasada Suedeze.
“Është nder dhe privilegj të jem në mesin e këtij delegacioni, veçanërisht e lumtur që jam ndër 5 gratë pjesëmarrëse, ku 3 prej nesh jemi drejtoresha të drejtorive”, ka deklaruar Saliuku.
Qëllimi i vizitës është të eksplorohet sistemi i financimit të komunave në Suedi dhe të kuptohet se si ky sistem ndikon në performancën dhe vendimmarrjen komunale.
Pjesëmarrja e Drenasit në këtë vizitë përfaqëson një mundësi të mirë për të përfituar nga përvojat ndërkombëtare dhe për të avancuar më tej qeverisjen lokale dhe menaxhimin financiar.