Lladrovci: Vendimin për kandidaturën time e merr PDK, jam i gatshëm të vazhdoj përgjegjësinë

Kryetari aktual i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka lënë të hapur mundësinë për të kandiduar sërish për këtë post në zgjedhjet e ardhshme lokale, por theksoi se vendimi përfundimtar do të merret nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).
Lladrovci beson që vendimi do të bazohet në “performancë, organizimin e fuqishëm lokal, në kontributin e votës nacionale, meritokracinë dhe kapacitetin e lidershipit për të adresuar shqetësimet e qytetarëve”.
“Ju e dini se i takoj subjektit politik shtetformues e shtetndërtues, i cili respekton programin e statutin e partisë, prandaj, edhe pres veprime nga niveli qendror të marrë vendim. Vendimi besoj fort, do të bazohet në performancë, organizimin e fuqishëm lokal, në kontributin e votës nacionale, meritokracinë dhe kapacitetin e lidershipit për të adresuar shqetësimet e qytetarëve”, thotë Lladrovci.
I pyetur nëse do të jetë përsëri kandidat i PDK-së për kryetar të komunës, Lladrovci tha:
“Si themelues i PDK-së, përtej besimit nga qytetarët që merret me votë, punën dhe angazhimin për qytetarin e quaj edhe obligim, andaj, pres vlerësim për të gjitha komponentët e parimeve për kryetar të komunave nga PDK, normalisht, vendimin e pres në paqe me veten dhe punën e deritashme duke marrë parasysh edhe gatishmërinë për të vazhduar përgjegjësinë”, tha Lladrovci për GazetaBlic.