Vajza nga Drenica drejt Finlandës – fituese e garës ndërkombëtare në teknologji dhe përfaqësuese e Kosovës në Helsinki

Një sukses i jashtëzakonshëm për Kosovën dhe veçanërisht për rajonin e Drenicës vjen nga një ekip i përbërë nga studentë të përkushtuar në fushën e teknologjisë dhe shëndetësisë, të cilët triumfuan në garën “Digital Skills & Camp” të organizuar nga ITP Prizren në kuadër të JunctionX Hackathon.
Aurora Hajdari, vajzë nga Drenica dhe profesioniste shëndetësore e përkushtuar, aktualisht studente në programin master MSc Digital Healthcare, së bashku me ekipin e saj të përbërë nga Bledar Kryeziu, Mirsad Haliloviq, Diturie Sertolli , Fjolla Januzi dhe Etnik Bellaja , u shpallën fitues të kësaj gare 3-ditore, duke fituar çmimin kryesor – “Golden Ticket” që i siguron atyre pjesëmarrjen për të përfaqësuar Kosovën në ngjarjen më të madhe të teknologjisë dhe inovacionit në Evropë – Junction 2025 në Helsinki, Finlandë.
Ekipi i tyre prezantoi një zgjidhje inovative që kombinon Inteligjencën Artificiale dhe Sigurinë Kibernetike me sistemin shëndetësor, social dhe atë publik në Kosovë. Qëllimi ishte krijimi i një modeli që rrit transparencën, efikasitetin dhe cilësinë e shërbimeve publike për qytetarët e vendit.
Kosova do të përfaqësohet në mënyrë dinjitoze në Finlandë, falë këtij ekipi që me punë, përkushtim dhe vizion arriti të lërë gjurmë në mesin e dhjetëra ekipeve pjesëmarrëse nga rajoni.