U përurua monografia “Shëmbëltyra e mësuesit Xhemë Isuf Krasniqi” nga autorja Vezire Krasniqi

Në amfiteatrin e Fakultetit Ekonomik të UPZ “Ukshin Hoti” në Prizren, u përurua monografia kushtuar patriotit, luftëtarit të lirisë dhe veteranit të arsimit, mësuesit Xhemë Isuf Krasniqi, me autore Vezire Krasniqin.
Ky botim vjen në nderim të figurës emblemë të arsimit dhe atdhedashurisë, në shënim të 106-vjetorit të lindjes dhe 42-vjetorit të ndarjes nga jeta të mësuesit Xhemë Isuf Krasniqi, i cili ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë kombëtare.
Në këtë ngjarje të veçantë morën pjesë personalitete të shumta, mes tyre redaktori i librit Prend Buzhala, profesorët Ragip Gjoshi dhe Daut Demaku, të cilët vlerësuan lart figurën e Xhemë Krasniqit si mësues dhe atdhetar. Buzhala theksoi se monografia është një dokumentar i fuqishëm shkencor, që mund të krahasohet me botime të instituteve shkencore.
E emocionuar për këtë përurim ishte edhe autorja Vezire Krasniqi, e cila këtë libër ia kushtoi gjyshit të saj. Pjesë e programit ishin edhe recitale artistike dhe pika të përzgjedhura muzikore, që i dhanë ngjarjes një dimension të veçantë kulturor.