Policia apelon për kujdes nga arinjtë në këtë zonë

Policia e Kosovës ka lëshuar një apel për qytetarët dhe vizitorët që frekuentojnë zonat malore, duke kërkuar kujdes të shtuar për shkak të shtimit të pranisë së kafshëve të egra – veçanërisht arinjve – në afërsi të vendbanimeve dhe zonave turistike.
Sipas raportimeve të përditshme nga terreni, është vërejtur se arinjtë janë parë shumë pranë njerëzve, sidomos në zonat përreth liqeneve malore, ku vizitorët shpesh i afrohen për të bërë fotografi apo video nga distanca të rrezikshme prej vetëm 10-20 metrash.
Policia apelon që të shmanget çdo kontakt me kafshët e egra, veçanërisht nga familjet me fëmijë, dhe thekson se afërsia me to mund të rezultojë me pasoja serioze. Bashkë me institucionet përkatëse, do të ndërmerren masa për informim dhe parandalim, ndërsa kërkohet edhe mbështetja e mediave për të vetëdijesuar publikun dhe për të ruajtur jetën dhe sigurinë e të gjithëve.