Policia me aksion në Fushë Kosovë dhe Malishevë: Arrestohen dy persona për nxitje përçarjeje dhe propagandë terroriste

Pas një pune intensive operative dhe hetimore, Policia e Kosovës ka realizuar sot në orët e hershme të mëngjesit një operacion të suksesshëm në kuadër të luftës kundër ekstremizmit dhe terrorizmit.
Sipas njoftimit zyrtar, zyrtarët e Drejtorisë Kundër Terrorizmit, në koordinim me prokurorin kompetent të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), kanë ndërmarrë veprime konkrete në dy raste të ndara, të cilat kanë rezultuar me:
3 kontrolle të vendbanimeve në komunat e Fushë Kosovës dhe Malishevës, dhe 2 arrestime të personave të dyshuar.
Të dyshuarit janë arrestuar mbi dyshimin e bazuar për përfshirje në veprat penale:
“Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”, si dhe “Shpërndarja e propagandës dhe ideologjisë për organizata terroriste”, kryesisht përmes rrjeteve sociale.
Policia e Kosovës thekson se të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim të ngushtë me organet e drejtësisë, në përputhje me ligjin dhe procedurat në fuqi.