Asgjë e re: Dështim i 19-të radhazi për konstituimin e Kuvendit

Dështoi sërish përpjekja për konstituimin e Kuvendit, kjo tashmë hera e 19-të me radhë që seanca nuk arrin të finalizohet me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Ashtu si herët e kaluara, edhe në seancën e sotme Lëvizja Vetëvendosje tentoi të formojë një komision ad-hoc për votimin e fshehtë të kandidatit për kryekuvendar. Megjithatë, propozimi nuk mori mbështetjen e partive opozitare.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, kërkoi nga PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe që të propozojnë përfaqësuesit e tyre për këtë komision, por ato refuzuan dhe nuk morën pjesë në votim.

Në fund, u numëruan 54 vota për, një kundër dhe asnjë abstenim – numër i pamjaftueshëm për të çuar përpara procesin.

Dehari njoftoi se seanca do të vazhdojë më 23 maj, në orën 11:00.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë