Kriza me mbeturina në Prishtinë/ Rama kërkon ndihmë nga Lladrovci dhe kryetarët tjerë

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka takuar kryetarët e komunave të rajonit të Prishtinës, përfshirë këtu edhe kryetarin e Drenasit, Ramiz Lladrovcin, ku edhe kanë diskutuar për problemin me mbeturina.
Rama ka ritheksuar se “Ndërmarrja “Pastrimi” ndodhet në një gjendje të rënduar për shkak të keqmenaxhimit të vazhdueshëm dhe mungesës së përgjegjshmërisë së menaxhmentit”.
Tutje, ai ka pohuar se në këtë situatë të krijuar, në kuadër të bashkëpunimit ndërkomunal, komunat do t’i ndihmojnë njëra-tjetrës sipas nevojës së krijuar.
“Komuna e Prishtinës, në koordinim me komunat tjera aksionare, do të ndërmarrë veprime për të ndihmuar në stabilizimin e situatës në ndërmarrje, me synim që të mbrohet mirëqenia e punëtorëve, pagat dhe vendet e tyre të punës dhe të sigurohet funksionimi normal i ndërmarrjes”, ka deklaruar ai.
Rama po ashtu ka njoftuar se do të angazhohen operatorë privatë për të mbledhur mbeturina.
“Komunat do të angazhojnë operatorë privatë për të siguruar vazhdimësinë e mbledhjes së mbeturinave në territoret përkatëse, me qëllim mbrojtjen e shëndetit publik dhe garantimin e një mjedisi të pastër”, theksoi ai.
Rama shtoi se “Komunat kanë shprehur vullnetin e tyre të lirë për të inicuar mënjeherë procedurat e decentralizimit të ndërmarrjes, në përputhje me legjislacionin në fuqi”.
Problemet ndërmjet Komunës së Prishtinës dhe Ndërmarrjes Pastrimi kanë filluar tash e disa muaj, ndërsa kjo e fundit para disa ditësh ka ndaluar edhe shërbimet duke thënë se është në krizë financiare për shkak të borxhit që ka komuna ndaj tyre.