Behrami: Letra që Kurti ia dërgoi LDK-së është përçmuese, jemi në hall me të se është hileqar

Artan Behrami, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), kritikoi qasjen e partisë fituese- Lëvizjes Vetëvendosje, duke e quajtur përçmuese letrën drejtuar Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe tërheqje taktike ftesën ndaj Partisë Demokratike të Kosovës për të shtyrë emrin e Albulena Haxhiut, ndërsa partitë e tjera i përshkroi si të përballura me një “hilexhi” politik.

Behrami ka kritikuar ashpër qasjen e kryeministrit në raport me situatën e krijuar pas zgjedhjeve, duke e quajtur atë një “hilexhi” që nuk respekton rregullat dhe që vepron në funksion të interesave partiake.

Deputeti ka theksuar se për zgjidhjen e krizës politike duhet të ketë konsensus dhe dialog të mirëfilltë, e jo letra përçmuese dhe ftesa të njëanshme.

“Konsensusi dhe dialogu duhet të jenë në qendër. Letra që i është dërguar LDK-së ka qenë përçmuese, ndërsa ftesa që i është bërë PDK-së nuk ka qenë për të dalë nga kriza, por për të shtyrë një precedent të ri për emrin e Albulena Haxhiut”, deklaroi Behrami.

Ai shtoi se opozita është në një situatë të vështirë, pasi, sipas tij, përballë kanë një person ‘hilexhi’.

“Ne si opozitë jemi në hall, sepse përballë kemi një hilexhi që nuk respekton rregullat. Ai është i përgatitur për gjithçka, por partitë si PDK, LDK, AAK dhe NISMA kanë hisen e tyre në lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës dhe nuk duhet të dorëzohen përballë tundimeve autokrate të një njeriu që synon dominimin dhe kalkulon çdo ditë në interes të tij dhe të partisë së tij, e jo të Republikës së Kosovës”, theksoi Behrami. /BetimipërDrejtësi

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë