Musliu e ashpër: Gjendja po bëhet e padurueshme, shteti nuk e ka luksin të toleroj një stagnim të tillë

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka reaguar ashpër ndaj situatës politike në vend, duke e cilësuar të papranueshme gjendjen aktuale dhe mënyrën se si po qeveriset vendi. Ajo theksoi se shteti i Kosovës po degradohet për shkak të një personi që, sipas saj, është i etur për pushtet.
Para seancës së Kuvendit, Musliu deklaroi se situata është bërë e padurueshme dhe se heshtja e përgjithshme, qoftë nga mediat, qytetarët apo opozita, po barazohet me bashkëfajësi.
“Gjendja tanimë po bëhet e padurueshme dhe mediat, qytetarët, e opozita duhet ta ngrisin zërin sepse heshtja e përgjithshme do të thotë pjesëmarrje në faj”, tha ajo.
Deputetja opozitare vlerësoi se Kosova nuk mund të përballojë më këtë stagnim të thellë, që, sipas saj, po e ngulfat vendin në të gjitha aspektet.
“Shteti i Kosovës nuk e ka luksin që të tolerojë tutje një stagnim të tillë i cili e ka ngulfat Kosovën, qoftë në zhvillimin ekonomik, qoftë në marrëdhëniet ndërkombëtare”, u shpreh Musliu.
Ajo kritikoi ashpër qasjen e qeverisë aktuale dhe mënyrën e ushtrimit të pushtetit nga Lëvizja Vetëvendosje, duke e konsideruar këtë si trajtim të padenjë ndaj qytetarëve.
“Nuk na ka borxh Kosova ne si politikanë të sillemi në këtë formë, kur e them për partinë që e ka marrë besimin e shumicës së qytetarëve. Qytetarët nuk e meritojnë këtë trajtim nga një njeri që njëherë ka marrë 51 për qind, tani mbi 40 për qind dhe ai të sillet kështu”, tha Musliu.
Ajo përmendi edhe gjendjen ekonomike në vend, duke përmendur ngritjen e çmimeve, shtrenjtimin e rrymës dhe keqpërdorimin e institucioneve.
“Ju jetoni këtu, po i shiheni çmimet çdo ditë duke u rritur, pagat janë në çdo nivel, shtrenjtimi i rrymës po vazhdon, abuzimi me institucionet e vendit po vazhdon çdo ditë. Nuk ke pse del në rrugë të cilët ta mbushin mendjen që po bëjnë gara, bordet i kanë mbushur me militantë partiakë dhe kanë arrit në shkallën më të lartë të degradimit të shtetit të Kosovës”, u shpreh ajo.
Musliu deklaroi se PDK nuk do të mbështesë asnjë kandidat për kryetar Kuvendi që vjen nga qeveria aktuale.
“Asnjë kandidat i cili ka qenë në qeverinë Kurti dy nuk do ta merr votën e PDK-së”, përfundoi ajo.