Përpjekje për zgjidhje të krizës – Osmani sot mbledh liderët e partive

Kriza institucionale që ka përfshirë Kosovën pas zgjedhjeve të 9 shkurtit ka hyrë në muajin e tretë pa një zgjidhje në horizont, ndërsa dështimet për konstituimin e Kuvendit po prodhojnë pasoja të ndjeshme për funksionimin e shtetit. Në përpjekje për të gjetur rrugëdalje nga kjo situatë, Presidentja Vjosa Osmani do të mbledhë sot në një tryezë të përbashkët liderët e partive politike parlamentare.

Takimi pritet të mbahet në ora 13:00 në Presidencë, pjesëmarrjen e kanë konfirmuar të gjithë liderët: Albin Kurti (LVV), Memli Krasniqi (PDK), Lumir Abdixhiku (LDK) dhe Ramush Haradinaj (AAK).

Takimi vjen në një kohë kur Kuvendi i Kosovës është duke hyrë në përpjekjen e 16-të për t’u konstituuar – seancë që do të vazhdojë sot në ora 10:30, por që deri më tani ka dështuar për shkak të mungesës së dakordësimit mes grupeve parlamentare.

Presidentja Osmani, një ditë para takimit me liderët politikë, ka shprehur shqetësim për pasojat që po shkakton bllokada.

“Mungesa e parlamentit nënkupton pamundësi për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, nga të cilat përfitojnë drejtpërdrejt qytetarët. Po ashtu, dëmtohet imazhi i institucioneve, besueshmëria te qytetarët dhe reputacioni ynë jashtë vendit,” tha Osmani pas takimit me presidentin e Këshillit të BE-së, Antonio Costa.

Ajo bëri të qartë se ky është vetëm fillimi i një serie diskutimesh që mund të vazhdojnë në formate të tjera, për të nxjerrë vendin nga kriza.

“Moskonstituimi i Kuvendit paraqet rrezik serioz për funksionimin kushtetues të institucioneve. Shpresoj që të gjithë liderët të angazhohen duke vënë në plan të parë interesin e vendit,” theksoi Osmani.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë