Ish-kandidatja e PDK-së për deputete flet për bllokadën politike: Demokracia kërkon përgjegjësi, jo vetëm fitore

Ish-kandidatja për deputete nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Arbiana Xhemajli, ka reaguar ndaj krizës institucionale që ka përfshirë vendin pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, duke shprehur shqetësimin për situatën e krijuar dhe paralizimin e funksioneve shtetërore, transmeton portali DrenicaOnline.

Në një reagim publik, Xhemajli theksoi se për herë të 16-të Kuvendi i Kosovës ka dështuar të zgjedhë Kryetarin e Kuvendit, duke thelluar edhe më tej krizën politike dhe institucionale në vend.

“Pas përfundimit të zgjedhjeve të rregullta parlamentare, vendi po përballet me një situatë serioze të bllokimit institucional. Për herë të 16-të, Kuvendi i Kosovës ka dështuar në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, duke e thelluar më tej krizën politike dhe institucionale në vend,” ka deklaruar Xhemajli.

Ajo kritikoi partinë fituese të zgjedhjeve për dështimin në sigurimin e konsensusit të brendshëm dhe mungesën e bashkëpunimit për krijimin e institucioneve të reja.

“Partia fituese, e cila mori besimin e qytetarëve për ta udhëhequr vendin drejt stabilitetit dhe reformave të premtuara, ka dështuar të sigurojë konsensus të brendshëm dhe bashkëpunim të nevojshëm për krijimin e institucioneve të reja.”

Sipas saj, kjo situatë po ndikon direkt në bllokimin e proceseve shtetërore, përfshirë formimin e qeverisë dhe adresimin e sfidave urgjente me të cilat përballet vendi.

Xhemajli shprehu zhgënjimin për vendosjen e interesave partiake mbi interesin qytetar, duke shtuar se demokracia kërkon më shumë se thjesht fitore në zgjedhje.

“Kjo situatë tregon një mungesë të theksuar të përgjegjësisë politike dhe vendosjen e interesave partiake mbi interesin qytetar. Demokracia kërkon jo vetëm fitore në zgjedhje, por edhe aftësi për të ndërtuar institucione funksionale përmes bashkëpunimit dhe përgjegjësisë.”

Apeli i saj vjen në një kohë kur vendi po kalon një nga periudhat më të tensionuara paszgjedhore, me bllokim të institucioneve dhe mungesë të qartësisë për zgjidhje të afërt të krizës./DrenicaOnline/

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë