Ramiz Lladrovci bashkë me familjen votojnë në Shqipëri: “Pres që kandidati që votova të vazhdojë të jetë avokat i çështjes kombëtare”

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka votuar sot në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, bashkë me familjen e tij. Familja Lladrovci posedon shtetësi të dyfishtë, andaj edhe kanë ushtruar të drejtën e votës në shtetin amë, shkruan portali DrenicaOnline.

“Erdhëm dhe votuam. Pres që kandidati të cilin e votova, do të vazhdojë të jetë në Parlament, të jetë avokat i çështjes kombëtare sikur deri sot, për Kosovën dhe shqiptarët kudo që jetojnë”, ka deklaruar Lladrovci pas votimit.

Ai theksoi se deputetët dhe drejtuesit ekzekutiv të shtetit shqiptar kanë një obligim moral, kombëtar dhe kushtetues për të ngritur dhe mbrojtur çështjet me rëndësi për shqiptarët jashtë kufijve administrativë.

“Obligimi i shqiptarëve jashtë kufijve administrativë, dihet, ta duan Shqipërinë!”, përfundoi ai.

Lladrovci është i njohur për qëndrimet e tij të qarta për forcimin e lidhjeve ndërshqiptare./DrenicaOnline/

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë