Grabiste pompa derivatesh në Drenas e Lipjan, arrestohet 21 vjeçari i dënuar me 5 vjet burgim

Një person nga Shala e Lipjanit është arrestuar të shtunën në bazë të një urdhërese të lëshuar nga Gjykata.

Bëhet fjalë për Bleron Mejzinollin, 21-vjeçar nga fshati Shalë i Lipjanit, i cili është arrestuar rreth orës 16:15 në vendbanimin e tij.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se pas arrestimit, i riu është dërguar në Qendrën e Paraburgimit në Hajvali, ku do të vuajë një dënim me burg prej 5 vitesh, sipas vendimit të formës së prerë të gjykatës.

Burime të Sinjalit bëjnë me dije se Mejzinolli është një nga personat e përfshirë në një grup kriminal që në vitin 2022 ishte arrestuar nën dyshimet për disa grabitje dhe tentativa grabitjeje, kryesisht ndaj pompave të derivateve në komunat e Lipjanit dhe Drenasit.

Rasti kishte ndodhur më 7 shtator 2022, në pikën e karburanteve “Menar Petrol” në fshatin Poturofc, ku bashkë me disa të dyshuar të tjerë – përfshirë Lorik Drenicën, Zenel Amrullahun, Valmir Shalën, Fatlum Shamollin, Endrit Shalën, Argjend Ademin dhe Mehdi Drenicën – dyshohej se kishin tentuar grabitjen nën kërcënimin e armëve të zjarrit dhe në posedim kishin substanca narkotike.

Gjatë bastisjeve të asaj kohe në tri lokacione në fshatin Shalë ishin sekuestruar një pushkë automatike AK-47, një pistoletë TT, municion, si dhe 30 paketime të vogla me marihuanë.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë